SHPËRNDAJE
Më shumë se çereku i botës përdor rrjetin social Facebook çdo muaj, duke e bërë atë më të famshmen dhe më të përdorurën në botë.
 Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, themeluesi i kompanisë Mark Zukerberg lajmëroi se, që prej datës 27 qershor, komuniteti i Facebook-ut i kaloi dy miliardë njerëz.

Kjo arritje kolosale vjen vetëm 13 vite pasi rrjeti social u krijua nga Zukerberg, kur ai studionte në Harvard. Në fakt, pas suksesit të Facebook, Zukerberg braktisi studimet.

Gjiganti i internetit arriti një miliard përdorues në tetor të vitit 2012 dhe kjo do të thotë se dyfishoi numrin e përdoruesve brenda 5 viteve.

Rritja e vazhdueshme e Facebook habit jo pak kritikët e tij, të cilët prej kohësh parashikojnë një ngadalësim të këtij rrjeti social.

Pavarësisht reduktimit të fitimeve nga reklamat, ambiciet e Zurkerberg janë të mëdha. Ai tha se kompania nuk bëri shumë zhurmë për arritjen e dy miliardë përdoruesve, sepse ende nuk ka mundur që të lidhë në rrjet këdo në botë.

Por rritja e shpejtë e kompanisë ka vendosur nën presion aftësinë e saj për të ndaluar përmbajtjet e dhunshme dhe ilegale që postohen në faqen e saj. Për këtë arsye, muajin e shkuar, Facebook punësoi 3.000 njerëz të rinj që do të merren vetëm me gjërat që postohen aty.

SHPËRNDAJE