SHPËRNDAJE

Telekomi i Kosovës nuk do të përjetojë falimentim financiar dhe as nuk do t’i paguajë mbi 30 milionë euro “Z-Mobile”, ani pse vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit e obligon Telekomin që ta paguajë dëmshpërblimin.

Kështu ka deklaruar të martën kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, gjatë një ligjëratë me studentët e UBT-së. “Është problem kjo çështje, sepse gati që gjashtë muaj na ka ngulfatur. Është vështirë të merresh me gjëra të tjera kur ke probleme të tilla. Telekomi nuk do të falimentojë assesi. Ky vendim i arbitrazhit shumë shpejt do të eliminohet dhe ne nuk do t’i paguajmë asgjë ‘Z Mobile’. Nuk do të paguajmë asnjë cent”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka thënë se Telekomi i Kosovës është lider në treg me 60 për qind të përdoruesve. Mustafa ka shtuar se aplikacioni “Viber” është ai i cili po e dëmton më së shumti Telekomin e Kosovës, teksa ka pohuar se “Viber”-i është aplikacioni ku njerëzit përgjohen më së shumti. “54 milionë euro në vit janë të hyra që ikin prej ‘Vala’-s, ndërsa janë 120 minuta në ditë prej thirrjeve ndërkombëtare që ‘Viber’-i i vjedh në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm aspektin e telekomunikacionit.
Sipas tij, teknologjia është bazë e zhvillimit të këtyre ndërmarrjeve. “Telekomi i Kosovës ka investuar shumë që të kemi teknologji moderne”, ka thënë Hajrizi.

 

SHPËRNDAJE