SHPËRNDAJE

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Nuk ka dyshim se sot rinia shqiptare është duke e derdhur trurin e saj nëpër zbatica të kohës dhe me të madhe bëhet sakrificë e sfidave të saja. Punët me të cilat sot ajo merret janë të natyrave të ndryshme, bile edhe degjeneruese. Energjia e saj dinamike shfrytëzohet dhe harxhohet në mënyrë rapide në gjëra, që s’ia vlen as syrin t’ua lëshosh. Rinia shqiptare, si shpresë e kombit, ka harruar se kombi rruhet me kreativitet kulturor e shkencor dhe të krijojë vlera artistike, të cilat do të jenë shtytës të mëtutjeshëm drejt integrimit të vendit në vendet e civilizuara. Ajo është izoluar në dëfrime, barr-kafenetë janë të mbushura përplot me student e studente, ndërsa libraritë dhe bibliotekat janë bërë muze, që rrallë dikush hyn për t’i vizituar. Kësaj rinie i nevojiten rrugë të reja, mjete moderne për t’u kalitur me cilësi dhe vepra akademike, përkrahje, stimulim për të kultivuar art, vepra, nga cilido zhanër qoftë ajo. Kësaj rinie i mungon përfaqësimi adekuat i saj në shoqëri; i mungon përkrahja e strukturave shtetërore, qofshin ato qeveritare ose joqeveritare.

Besimi i humbur

Në kohët e lashta rinia ka qenë fortifikata bazë e ngadhënjimit, prandaj edhe luftërat shpeshherë kanë ndodhur të fitohen kur ushtarët kanë qenë shumicë të rinj dhe të edukuar mirë, me bonton të pastër dhe intelekt të kthjellët e të shëndosh. Populli dhe udhëheqësit kanë besuar tek rinia e tyre, sa që edhe komandantë të ushtrisë i kanë bërë.

Vallë pse sot rinia shqiptare ka humbur besimin e popullit dhe të udhëheqësve shtetëror? Vallë ku qëndron problemi? A thua suficiti i krimit dhe deficiti i moralit tek të rinjtë kanë ndikuar në mosbesimin dhe krijimin e një opinioni të frikshëm kundrejt tyre? Këto dhe shumë pyetje të tjera janë prej atyre, që e brejnë shpirtin e arsyeshëm të të riut, i cili kur sheh shokët e tij se si mbyten në dyshime, dyshimet e tyre e bëjnë të hamendet edhe atë.
Sipas disa anketimeve thuhet se dyshimi në jetën tonë të përditshme është bërë shprehje e përditshme dhe njëkohësisht sëmundje shpirtërore shumë serioze. Dyshimi dhe mosbesimi njeriun nuk e lenë të qetë, atëherë si të besohet në një rini, e cila “varet disa herë në ditë në konopët dhe errësirat e dyshimit”?!

Mungesa e punës kolektive

Eshtë fakt i pamohueshëm se rinia shqiptare është e lënur pasdore, kur është në pyetje organizimi kolektiv. Shoqata, forume, unione studentore dhe të ngjashme ka fare pakë. Rinisë sonë i mungon sensi dhe eksperienca për punë kolektive madhore dhe të tjera. Shpeshherë ndodh që të shohësh dhe të dëgjosh studentin ose studenten sesi nuk e qmon dijen, shkencën, artin, punën kolektive etj. Fare nuk i intereson për libra, gazeta e revista…
Nuk mund t’u shpëtosh sfidave dhe problemeve të kohës në mënyrë individuale kur problemin e ke me karakter global.

Mungesa e punës kolektive te rinia shqiptare është pika më e dobët dhe shqetësuese. Duhet me një shpejtësi të madhe të realizohet një stabilitet i qëndrueshëm dhe të krijohen kushte për punë kolektive, në qoftë se dëshirojmë ta ruajmë identitetin tonë si “rini univerzitare” dhe të sigurojmë një ndjenjë për të shpresuar më tutje.

Ku më tutje?!

Për të dal prej “botës së dembelizmit” në botë e artit, në botën e aktivitetit, kultivimit të dijes dhe moralit, rinisë sonë i nevojitet të ndalon rrugën për nga është nisur pavetëdijshëm. Duhet shikuar përparësitë që i kanë të rinjtë në vendet qytetëruese, të mësohen ta kërkojnë të drejtën e tyre që u takon dhe ta zbatojnë atë.
Për t’ju kthyer dinjiteti i humbur rinisë shqiptare, veqanërisht këtu në Kosovë, ku në hapësirat e  Univerziteteve dhe shkollave të mesme janë me mijëra studentë, duhet seriozisht t’i kthehen punës dhe të vishen me vlera etike, shkencore dhe me suksesin e punës permanente dhe dinjitoze.
Rinia të lexohet për nga suksesi, për nga veprat që do të kultivojnë, për nga aktivitetet shkencore e kulturore artistike. Kjo pra do të ishte pamja dhe profili më i dëshiruar për studentin, i cili ka marr besën e prindërit, fshatarëve dhe popullit për ta qua vendin përpara, drejt sukseseve dhe botës së qytetëruar.

SHPËRNDAJE